Arbër Zaimi flet për kandidimin e Kurtit për të parin e VV-së, ka një përgjigje edhe për ata që kanë dhënë dorëheqje!

Aktivisti i Vetëvendosjes nga Shqipëria, Arbër Zaimi ka folur për zhvillimet e fundit në Lëvizjen Vetëvendosje.

Zaimi në një intervistë,ka folur për kandidimin e themeluesit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti si dhe dorëheqjet e njëpasnjëshme në këtë parti.

Aktivisti i VV-së ka thënë se janë dhënë dy arsyeje për dorëheqjet që po ndodhin në Lëvizje, e para se disa po e shohin Kurtin si të pa pranueshëm për të qenë në krye të Lëvizjes dhe tjetra arsye kritikat e fyerjet që kanë ndodhur në rrjetet sociale.

Ai më tej ka mohuar se në Vetëvendosje ka përçarje.

Përveç tjerash Zaimi i VV-së ka thënë se Kurti nuk do të duhej të tërhiqej nga kandidimi i tij për shkak se do të ishte padrejtësi.

Sipas Zaimit dorëheqjet më shumë po gjejnë mbështetje shpeshherë vetëm tek disa persona të media-s që kanë një historik kundër Lëvizjes Vetëvendosje.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë me Arbër Zaimin: 

Gazeta Blic: A është shkak kandidimi i Kurtit për të parin e VV-së për këto dorëheqje që po ndodhin?

Arbër Zaimi: Publikisht, deri më tash, kjo është dhënë si arsye. Disa persona e mendojnë Albinin si të papranueshëm në krye të Lëvizjes, por nuk po argumentojnë se pse.

Po ashtu është dhënë si arsye për dorëheqjen kritika e ndonjëherë fyerjet që kanë marrë në rrjete sociale.

Mirëpo të dyja këto arsye po jepen në muajin e fundit, sepse edhe kandidimi i Albin Kurtit e edhe reagimet në rrjete sociale janë gjëra që kanë ndodhur së fundmi.

Kështu që personalisht dy arsyet e dhëna për dorëheqjet janë të vona, ndaj nuk më bindin, pasi problemi ekziston që prej së paku një viti e gjysmë, dhe dorëheqjet janë përmendur edhe më parë në takime formale e joformale si formë kërcënimi.

Unë në fakt mendoj se dorëheqjet në fakt ndodhin si pasojë e dëshirës, ndoshta edhe e planit, për të pasur një subjekt politik ku rendja drejt pushtetit nuk pengohet edhe aq nga figura me kredibilitet të lartë intelektual e moral, siç është dëshmuar gjatë viteve Albin Kurti.

Ky plan realizohet ose duke mënjanuar Albin Kurtin nga LV, ose duke dëmtuar LV e duke krijuar një subjekt tjetër.

Gazeta Blic: Sipas jush a duhet Albin Kurti të tërhiqet nga kandidimi për ta shpëtuar Vetëvendosjen nga përçarja?

Së pari nuk mendoj se ka përçarje, por dorëheqje të disa politikanëve. Përçarje, në një Lëvizje me 200.000 vota, është kur ikin 10.000 vota, por mua nuk më duket kështu.

Së dyti, mendoj se asnjë person i pafajshëm e i drejtë nuk duhet të vihet në siklet e të detyrohet të tërhiqet, në cilëndo situatë që gjendet në jetë.

Tërheqja e të drejtit dhe e të pafajshmit është pajtim me padrejtësinë.

Populli ynë ka disa proverba të tipit “hapi rrugë fëmijës”, apo dikujt të papjekur. Por duke lëshuar rrugë i pjekuri e i drejti, nuk shkohet përpara.

Ne jemi në situatën kur të dyja palët shpallin se kanë të drejtë dhe janë të pafajshëm. Unë besoj tek Albin Kurti në këtë rast, ama mendoj se në këtë pikë ku kanë mbërritur gjërat, me shumë zhurmë e ekzagjerime nga të gjitha anët, se kush është vërtet i pafajshëm e i drejtë, do të mund ta dëshmojë vetëm historia.

Gazeta Blic: Aida Dërguti, Visar Ymeri, Dardan Sejdiu, Shqipe Pantina dhe Zgjim Hyseni janë disa nga anëtaret e VV-së që kanë dhënë dorëheqje deri tani si i shihni gjithë këto zhvillime, a po përçahet VV me kaq dorëheqje?

Uroj që të mos dalin përgjithmonë prej Lëvizjes. Sigurisht që Lëvizja dëmtohet, siç dëmtohet edhe reputacioni i tyre në sy të aktivistëve.

Nëse ata këmbëngulin se kanë të drejtë, mënyra më e mirë për ta dëshmuar është të vazhdojnë me idealizëm në Lëvizje, e pas disa muajsh kuptohet se kush e ka pasur mirë e kush keq. E pastaj sigurisht edhe gabimet mund të falen.

Nga ana tjetër Albin Kurti është politikani më i popullarizuar në Kosovë tash për tash, siç e konfirmojnë edhe sondazhe të publikuara në media, dhe mendoj se duhet t’i prijë Lëvizjes, sepse ka pajtueshmëri të madhe në anëtarësi e në elektorat.

Reagimet e njerëzve në bazë, në terren por edhe në rrjete sociale, në këtë moment tregon se popullariteti i Albinit vetëm po rritet.

Sigurisht nuk mjafton vetëm një Albin si figurë politike, mirëpo me sa di edhe shumica dërrmuese e deputetëve të Lëvizjes, edhe shumica e kryesisë e e kryetarëve të qendrave, po mbështesin vazhdimin e Lëvizjes e jo dorëheqjet. Po ashtu ka edhe mbështetje nga disa figura publike jashtë Lëvizjes.

Ndërsa dorëheqjet më shumë po gjejnë mbështetje shpeshherë vetëm tek disa persona të medias që kanë një historik kundër LV.

Loading...