Ai që na kujton Nolin dhe personalitetet e rremë – Nga Moikom Zeqo

Kërkesa e kryeredaktorit të DITA-s për t’u shprehur se kush është Njeriu i vitit 2017 dhe për asimetri dhe Anti-njeriu i të njëjtit vit, më krijon një ndjesi të dyzuar.

Në thelb është tejet e vështirë të jesh i saktë dhe i vërtetë deri në fund për t’u përgjigjur.

Ndonëse duket si pyetje standarde është në të gjitha pikëpamjet edhe një test për secilin për të reflektuar mënyrën e arsyetimit dhe të konceptimit vetjak, për të patur edhe një tendencë të afrimit të se vërtetës publike.

Nëse bëhet fjalë për një personalitet të kombit shqiptar, të përmasave të vetëkuptueshme dhe të brendashkruar tek një figurë për mendimin tim modest Neriu i Vitit 2017 është politikani Albin Kurti.

Padyshim më i votuari në Kosovë, padyshim një personalitet i pazakontë karizmatik, Albin Kurti është politikani i parimeve të mëdha progresive dhe më i dallueshmi nga tërë sekti i çuditshëm dhe kalimtar i politikanëve shqiptarë të ditës, të tranzicionit grotesk gati 30 vjeçar.

Albin Kurti është-një shëmbëlltyrë e dinjitetit,- të situatave të përballjes së arsyes historike dhe të vizionit modern, që ka stimuluar fuqishëm dhe pandalshëm një lëvizje qytetare dhe të partisë së Vetëvendosjes në Kosovë, të admirueshme dhe kurajoze, mes sakrificave dhe të privacioneve të panumërta dhe skenarëve të përçarjes dhe të shkatërrimit të kësaj partie.

Albin Kurti ndryshon nga politikanët e tjerë.

Kultura e tij politike është e nivelit filozofik dhe europian,- që ngrihet mbi të tjerët- , dallueshëm dhe qartësisht.

E kam dëgjuar shumë herë-ligjërimi i tij politik dhe shoqëror të kujton Fan Nolin.

Ai nuk është politikani i sloganeve dhe korrupsionit marramendës dhe endemik, por një misionar .

I futur përdhunshëm disa herë në burg, padrejtësisht, Albin Kurti ,si deputet i popullit në parlamentin e Kosovës, nuk është vetëm mjeshtër i ligjërimit, por një zbulimtar i të vërtetave, trim dhe qytetar i madh.

Albin Kurti është pra Njeriu i Vitit 2017 për mua- nuk ka asnjë rëndësi nëse ka njerëz të tjerë, që nuk janë dakord me mua për këtë zgjedhje, absolutisht.

Sepse vlerësimi i Albin Kurtit, përtej çdo idhujtarie, -ai vetë e urren idhujtarinë dhe e godet,- është prej kohësh tashmë një çështje e optikës madhore të historisë dhe jo e paragjykimeve dhe skenareve shqiptarofobë dhe provinciale dhe mjerisht të egër dhe të paligjësuar, primitivë, klientelistë, ndaj Albin Kurtit.

Po Antinjeriu i Vitit 2017?

E kam të pamundur t’i përgjigjem kësaj kërkese gati hokatare dhe humoristike.

E Keqja është bërë shumë e madhe – ajo ka shumë e shumë emra, emrat e oligarkëve të pashpirt, injorantë dhe mediokër, të fabrikimit si në Akademinë e Laputës së Suiftit të personaliteteve të rremë, ose të shpirtrave të vdekur gogolianë, të deputetëve, me emra të ndërruar,- me ndryshime mafioze identitetesh,- që nga hajdutë të rëndomtë dhe banalë, të neveritshëm,- kanë arritur të bëhen (si vallë, si vallë ?) “përfaqësues të popullit “- ( o Zot, të cilit popull?),- të lajmit apokaliptik, se shqiptarët janë bërë përdorues masivë të kokainë etj- që nuk dua ta besoj- po ajo që ndodh është më e rëndësishme,- se ajo që unë mund të mendoj me skepticizëm.

Nuk mundem dot ta personalizoj se kush është Anti-njeriu i Vitit 2017.

Ndërkohë mund të shtoj se viti 2017 në shumë aspekte qe një vit i marrëzishëm politik, sidomos për ekseset absurde dhe lojën ambiguide të reformës në drejtësi etj.

Por kjo reformë nuk do të ndalet-për këtë jam i vetëdijshëm dhe i sigurtë.

Viti 2017 është dhe viti i vdekjes në Londër së sociologut të madh Zygmunt Bauman, një nga ata gjigantë të mendimit si C.Ëright Mills, Emile Durheim dhe Max Veber, që ka bërë një analizë universale dhe iluminuese të shoqërisë së sotme.

Si askush!

Në librin e tij emblematik “Moderniteti i lëngët ” (“Liquid Modernity”) ai jep një tablo tronditëse të aktualitetit botëror, të pasojave të rënduara dhe katastrofike të Neo-liberalizmit ekonomik dhe banalitetit të subkulturave,- të kitsch-spektakleve dhe propagandës bajate dhe primitive,- post-faktuale.

Bauman citon mendimtarin e madh amerikan George Steiner, që thotë se realiteti sot është një “kulturë kazinoje”, plot pasiguri, ku strukturat e koncepteve dhe nocioneve tradicionale dhe shekullore shprishen dhe strukturohen, lëngëzohen.- dhe këto koncepte dhe nocione humbin dallimshmërinë dhe shpërbëjnë etikën dhe kauzat e mëdha humanistike, kredencialet e të ardhmes.

Ndoshta Bauman me horizontin e tij të jashtëzakonshëm do të jepte një përgjigje konceptuale-e theksoj përsëri-konceptuale, për të Keqen dhe anti-njerëzit e panumërueshëm dot, ku janë patjetër,- edhe anti-njerëzit e Shqipërisë.

Por unë e kam të pamundur, të pamundur !

Loading...